Lajmet e fundit

Në varrezat e Butelit të Shkupit të dielën bëhet varrimi i vogëlushes 9 vjeçare Lina Gojani, e cila humbi jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën e tyre mbrëmjen e së premtes në Çair të Shkupit.
Vajza nuk ka arritur që t`u shpëtojë flakëve që përfshinë shtëpinë e tyre vetëm disa minuta para mesnatës, ndërsa familja e saj fatmirësisht ka shpëtuar.
Kjo tragjedi ka prekur gjithë qytetarët në Maqedoni, por më rëndë është pranuar lajmi tek shokët dhe shoqet e saj të klasës, të cilët së bashku me mësuesen e tyre përcollën një mesazh publik të dhimbjes:
“Zjarri që shpërtheu në shtëpinë e saj mori përpara gjithçka që pa! Ndër to ishte edhe nxënësja ime Lina, që fatkeqësisht e rrëmbeu zjarri dhe ja mori jetën. Sot unë, shokët dhe shoqet e saj ndjejmë dhembje të thellë për Linën 9 vjeçare. Ajo gjithmonë do të jetë në zemrat tona ndërsa në mendjet tona do ta kujtojmë si një vajzë të urtë, të sinqertë dhe të mençur.
Kjo ishte Lina për ata që nuk patën rastin ta njohin. Një vajzë që gjithandej shpërndante buzëqeshje.
Lina u prehtë në paqë e ne t’ia kujtojmë jetën dhe momentet e lumtura së bashku ”. / INA