Lajmet e fundit

Trembëdhjetë persona u arrestuan për protestën tek liqeni artificial. Në një njoftim për publikun, Policia e Tiranës bëri të ditur edhe listën me 13 emra të personave të arrestuar, mes të cilëve edhe ish-deputeti Ndriçim Babasi.
Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Organizimi dhe grumbullimi në manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia sqaroi në komunikatën zyrtare se, nëntë deputetë të Partisë Demokratike shoqëruar nga protestues të tjerë, me veprime të dhunshme, çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit duke hyrë brenda rrethimit të kantierit në ndërtim dhe duke e shkatërruar atë.
Protestues të tjerë vazhduan me veprime të dhunshme ndaj kordonit të Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit, duke i shkaktuar plagë tre punonjësve bashkiake, raporton Top Channel, përcjellë Klan Kosova.
Policia sqaroi se arrestimi i protestuesve është bërë në flagrancë. Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Rrethit Tirane. Të 13 të arrestuarit do të dalin përpara Gjykatës së rrethit ditën e mërkurë në sencën gjyqësore që do të zhvillohet ndaj tyre për caktimin e masës së sigurisë.
Pavarësisht se ka patur disa konflikte të dhunshme te Parku i Liqenit, kjo është hera e parë që policia kryen arrestime të protestuesve.