Lajmet e fundit

Anulimi i të gjitha faljeve të zyrtarëve nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka hapur rrugën Prokurorisë Speciale t’i hetojë të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë, të dyshuar për vepra të rënda penale.
Mirëpo, që puna e saj të mos pengohet, nevojiten edhe vendime tjera, para së gjithash nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë nëse Ligji për themelimin e Prokurorisë Speciale është në pajtueshmëri me aktin më të lartë juridik në vend, Kushtetutën.
Një vendim i tillë duhet të sillet duke marrë parasysh një nismë që tani disa muaj ka mbetur në sirtarët e Kushtetueses, lidhur me punën e Prokurorisë Speciale. Nisma është bërë nga një zyrë avokatie e afërt me VMRO-në në pushtet dhe besohet se do të aktivizohej nga Gjykata kushtetuese me shfuqizimin e Ligjit për themelimin e Prokurorisë, në rast se ajo do të zyrtarizonte paditë ndaj zyrtarëve të partisë së Gruevskit.
Ky i fundit të premten është marrë në pyetje lidhur me një aferë korruptive nga shumë të tilla që besohet të jetë përfshirë.
Bekim Kadriu, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, thotë se pa e definuar çështjen e Prokurorisë Speciale, nuk mund të priten rezultate konkrete në punën e saj.
“Prokuroria speciale, përfundimisht, ka hasur në obstruksione, duke përfshirë aty presidentin e shtetit, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Penale, si dhe gjykatat dhe prokuroritë tjera, të cilat jo vetëm që nuk bashkëpunojnë në bazë të ligjit, por edhe e pengojnë dhe bëjnë obstruksione në punën e Prokurorisë”.
“Veç kësaj, para Gjykatës Kushtetuese ekziston edhe një iniciativë për ligjin, me të cilin është themeluar Prokuroria Speciale që po ashtu është problematik për shkak se në një situatë të ndjeshme, në të cilën ndodhet Maqedonia, do të ishte shumë e drejtë që Kushtetuesja sa më parë të dalë me qëndrim lidhur me kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale".
"Kjo, për shkak se në opinion qarkullojnë zëra se këtë nismë Gjykata Kushtetuese e mban si rezervë me qëllim që procedurën ta iniciojë kur ta shohë ajo të arsyeshme - gjë që nuk është në rregull për shkak se kjo krijon pasiguri juridike duke ditur përvojën me Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kadriu për Radio Evropa e Lirë.