Gjykata e Elbasanit e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e pedagogëve të Universitetit të Elbasanit ndërkohë që ndaj tyre ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe pezullim nga detyra.
Arrestimi i pedagogëve të Universitetit të Elbasanit është i paligjshëm, sipas vlerësimit të Gjykatës së Elbasanit.
Ndaj pedagogëve kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje, dhe pezullim nga detyra, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata vendosi që në “arrest me burg” të vendosë G.H i cili në këtë aferë të dyshuar korruptive luante rolin e sekserit.
Më tej Gjykata e Shkallës së parë Elbasan vendosi t’i kalojë çështjen për kompetencë SPAK-ut.
6 pedogogë të Universitetit të Elbasanit u arrestuan mëngjesin e 1 nëntorit në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Edukimit të dyshuar për korrupsion pasiv pasi jepnin provimet në këmbim të parave.
Madje në bisedat telefonike që prokuroria disponon faktohet se përveç parave pedagogët pranonin edhe dhurata të tjera.
Prokuroria gjithashtu ka sekuestruar në cilësi të provës materiale para, biseda telefonike dhe teza provimesh.
Seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë zgjati për më shumë se tre orë për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme nga tensioni që u krijua në ambientet e gjykatës.
Në mënyrë të paprecedentë gjykata e Elbasanit krijoi kaos në menaxhimin e familjarëve dhe përfaqësuesve të medias duke bërë zgjedhke selektive të personave që duhet të ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
Është dashur ndërhyrja e policisë për të menaxhuar situatën në korridoret e gjykatës dhe për të garantuar zhvillimin e seancës.
Pedagogët e përfshirë janë O.B, Z.G, A.Sh, B.G, F.T dhe M.H, ku E.G ndodhet ende në kërkim pasi ishte në një konferencë jashtë vendit.
●●●
EISHKRIMI NGA
Ermir Istrefi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.