Lajmet e fundit

Parlamenti Evropian sonte ka mbajtur një seancë plenare debatuese për situatën në Serbi pas zgjedhjeve të dhjetorit. Shumica e folësve ishin kritikë ndaj zgjedhjeve, duke vënë në dukje parregullsi të shumta të regjistruara dhe kërkuan hetim të pavarur nga autoritetet kompetente.
PE-ja vendosi se do të miratojë një rezolutë bazuar në diskutimin e sotëm më 8 shkurt.
Komisioneri Evropian për Drejtësinë Didier Reynders hapi diskutimin, duke cituar deklaratën paraprake të OSBE/ODIHR, sipas së cilës zgjedhjet, edhe pse teknikisht të organizuara mirë, u dominuan nga përfshirja vendimtare e presidentit serb Vuçiq, i cili së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet krijuan kushte të padrejta, raporton EWB.
“Ne presim që të gjitha raportet e besueshme të parregullsive të merren parasysh në mënyrë transparente nga autoritetet kompetente kombëtare, duke përfshirë zgjedhjet lokale në Beograd dhe komunat e tjera”, tha Reynders.
Ai përkujtoi se Serbia mbetet një vend kandidat për në BE, ndërsa i kërkoi që të japë rezultate konkrete edhe në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Ne presim që Serbia të tregojë gatishmëri të qartë për të çuar përpara procesin e anëtarësimit duke përshpejtuar reformat e saj dhe duke dhënë rezultate reale dhe të prekshme. Kjo përfshin në veçanti fushën e sundimit të ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, tha Reynders.
Në fjalimin e tij, Raportuesi i PE-së për Serbinë Vladimír Bilçik (EPP) citoi konkluzionet nga misioni i vëzhguesve të PE-së, të lëshuar më 18 dhjetor.
“Zgjedhjet e shpeshta të parakohshme shkaktojnë mosbesim të njerëzve në qeverisje dhe pengojnë reformat në lidhje me BE-në. Niveli i ulët i debatit politik, presioni mbi votuesit, theksimi i diskreditimit personal të kundërshtarëve, retorika e ashpër – të gjitha mbeten shumë shqetësuese”, citoi Bilçik.
Ai shtoi se në ditën e zgjedhjeve janë respektuar procedurat kyçe të votimit dhe numërimit, por vëzhguesit e PE-së kanë marrë shumë raporte për regjistrimin e votuesve nga jashtë dhe nga komunat e tjera brenda Serbisë, posaçërisht për të zgjeruar elektoratin.
Bilçik u bëri thirrje autoriteteve kompetente që të marrin parasysh çështjet.
“Serbia meriton më mirë. Njerëzit në Serbi meritojnë një klimë politike pa një fushatë të vazhdueshme. Njerëzit në Serbi meritojnë reforma të vërteta evropiane. Njerëzit në Serbi meritojnë një zgjedhje të qartë midis Rusisë dhe Evropës dhe midis konfrontimit dhe bashkëpunimit. I uroj Serbisë më pak fokus në të kaluarën tragjike dhe më shumë energji drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha ai.
Andreas Schieder (S&D), i cili drejtoi misionin vëzhgues të Parlamentit Evropian të zgjedhjeve në Serbi, tha se ekziston një listë e gjatë e parregullsive që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, votuesit fantazmë, problemet me median dhe gjëra që duhen sqaruar.
“Qeveria duhet të veprojë. Por presidenti Vuçiq dhe kryeministrja Bërnabiq nuk kanë vepruar në atë mënyrë, ata kanë kritikuar vëzhguesit e zgjedhjeve. Kjo është shumë problematike dhe mendoj se kritikat në raport janë të sakta”, tha Schieder.
Klemen Groshelj (Renew) vlerësoi se Serbia ka probleme serioze me krijimin e standardeve themelore demokratike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ajo që është e re është hapja brutale me të cilën ndodhën këto parregullsi. Dukej sikur autoritetet serbe as nuk u interesuan dhe nuk u shqetësuan se do të ndodhte ndonjë gjë. Fatkeqësisht, kanë të drejtë. Deklaratat e Këshillit dhe Komisionit ishin, për ta thënë butë, të buta. Ky është problemi i procesit të zgjerimit në tërësi”, tha Groshelj.
Viola von Cramon (Të Gjelbrit/EFA) deklaroi se që kur ishte bërë vëzhguese e zgjedhjeve 20 vjet më parë, ajo kurrë nuk kishte parë diçka si zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.
“Të jemi të qartë, këto zgjedhje janë manipuluar, janë vjedhur. Opozita e bashkuar mund të kishte fituar në Beograd nëse mijëra njerëz nuk do të regjistroheshin ose nuk do të bëheshin presione për të votuar për partinë në pushtet”, tha von Cramon.
Ajo kërkoi një hetim të paanshëm ndërkombëtar dhe propozoi përdorimin e dialogut ndërpartiak si një mjet ndërmjetësues midis partive në pushtet dhe opozitës.
Andor Deli, anëtar i delegacionit hungarez Fidesz, ka dhënë një vlerësim të ndryshëm të situatës.
“Është shumë për të ardhur keq që këtu në PE kundër Serbisë përdoret e njëjta recetë që përdoret në Hungari që nga viti 2010. Opozita e majtë-liberale po përpiqet t'i kthejë dështimet e brendshme politike në suksese, por me ndihmën e jashtme. Kjo taktikë ka dështuar në rastin e Hungarisë, nuk do të funksionojë as në Serbi”, tha Deli.
Ai shtoi se vitet e fundit imazhi dhe besueshmëria e BE-së është ulur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm për shkak të hezitimit të BE-së, por edhe për shkak të këtyre opinioneve kritike dhe të njëanshme.
Nga ana e tij, presidenti Vuçiq ka thënë nga qyteti zviceran i Davosit se nuk është i interesuar për debatin në Parlament, pasi zgjedhje të tilla “të pastra” nuk janë mbajtur kurrë në vend, shkruan gazeta serbe “Politika”.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Beogradit, pak pas orës 18:00 për të protestuar kundër qeverisë Vuçiq para selisë së Komisionit Zgjedhor, të thirrur nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”. /Klankosova.tv