Lajmet e fundit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, çeli letrat të mërkurën për një takim që e kishin të martën.
Nga takimi i kryesisë së kësaj partie një ditë më parë po del se në PDK nuk janë në favor të votimit të Vjosa Osmanit për presidente.
“Gjatë takimit të Kryesisë të martën nuk ka pasur vullnet për ta mbështetur [Vjosa] Osmanin presidente. Kjo do të diskutohet edhe sot në Këshillin Drejtues të PDK-së”, tha Hoxhaj para nisjes së takimit të Këshillit Drejtues të partisë.
Pos kësaj, Hoxhaj paralajmëroi reforma të thella brendapartiake si dhe kthimin në pushtet, por njëherë tha se PDK do të jetë opozitë e fortë për Qeverinë Kurti.
E sa për zgjedhjet e reja brenda PDK-së, ushtruesi i detyrës së kryetarit mendon se një debat i tillë aktualisht nuk po bëhet brenda subjektit.
Në raport me këtë Hoxhaj kujtoi faktin që Kadri Veseli, që ky e quan kryetar, po përballet me Gjykatën Speciale në Hagë.