Lajmet e fundit

Kryetari i partisë NISMA, Fatmir Limaj, ka shkruar në profilin e tij në facebook, se dega e Partisë Demokratike në Malishevë, e ka kërcënuar një asamblist që dikur ishte pjesë e tyre, e tani ka kaluar në NISMA.
Sipas Limajt, PDK po e kërcënon me lule dhe me mbishkrime kërcënuese në tavolinë, Veton Telakun, i cili ka kaluar në NISMA vullnetarisht.
“Veton Telaku, ka kaluar të NISMA për Kosovën, e në vend që të urohet dhe falënderohet për kontributin e dhënë, ish partia e tij ( PDK ), në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal në Malishevë e paralajmëroi, duke i vënë lule në tavolinën e tij, dhe një letër mbishkrimi në shenjë kujtimi (kërcënimi)”, ka shkruar Limaj.
Limaj ka thënë se kjo që ka ndodhur me Telakun, e dëshmon primitivizmin e ish subjektit të tij, PDK-së.
“Ky veprim qyqarë, brenda këtij subjekti, çdo ditë e më shumë e vërteton se lufta për pushtet nga disa individë është kuptuar jo drejt dhe jo përmes metodave demokratike e të lira, të tillët janë në gjendje të bëjnë edhe veprime të ulëta, të verbëta dhe primitive”, është shprehur Limaj.