Lajmet e fundit

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar të hënën ‘aferën korruptive’, siç e kanë cilësuar, të Ministrisë së Infrastrukturës me kontratat njëburimore që kanë lidhur gjatë një viti qeverisje. Sipas PDK-së këso lloj ujdi, pa tender, janë lidhur plot 42 dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me nëntë milionë euro.
Përveç punimeve në rrugë të ndryshme anekënd Kosovës, bëhet fjalë edhe për mirëmbajtje të tyre, pastrim nga reshjet e borës, si dhe kontratë shtesë edhe për punimet në pistën e aeroportit të Prishtinës dhe ngritjen e sistemeve të aterrimit e radiokomunikimeve.
Për gjithë këto që PDK-ja i përmblodhi me emrin ‘tenderomani’ do t’i kallëzojë edhe penalisht, por do të jetë edhe vetë subjekti që do të përballet me një padi, për shpifje, të cilën e paralajmëroi zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, rreth 3 orë pas konferencës së PDK-së.
“Të gjitha kontratat tjera janë të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara, me gabime të mëdha, në projekte, paramasa, pozicione të pa parashikuara e duke lënë gjithmonë hapësirën për penallti, pra ku ministria obligohet të paguaj dëmshpërblime milionëshe pa asnjë punë të kryer", thuhet ndër të tjera në komunikatën që lëshoi Durmishi pasdite.