Lajmet e fundit

Themeluesja e partisë Alternativa njëherësh kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se subjekti i saj i ri politik do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në gjitha komunat.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kusari-Lila ka thënë se do të garojë edhe për një mandat të ri në Komunën e Gjakovës.
“Unë kam shprehur gatishmërinë time edhe për një mandat qeverisës në Gjakovë, pasi vetëm një mandat nuk ka mjaftuar për të përfunduar me sukses një mori projektesh dhe aktivitetesh, meqë Gjakova ka qenë e lënë pas dore. Prandaj duhet edhe një mandat për t’u finalizuar çdo gjë”.
Kusari-Lila i ka ftuar qytetarët t’i bashkohen Alternativës. Ajo është e bindur se Alternativa do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare.
“Për të gjithë ata që duan ta shohin Kosovën me një kapitull të ri, Alternativa është mundësia. Kurdo që të mbahen zgjedhjet, Alternativa do të bëhet parlamentare”.