Lajmet e fundit

Partia Demokratike e Kosovë, sikur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk i dhanë asnjë votë buxhetit të rishikuar që u votua më 28 korrik të këtij viti, madje as pasi u kumtua se për shëndetësinë do të ndahen rreth 34 milionë euro më tepër.
Por një muaj pas opozitarët kanë reflektuar, të paktën PDK-ja.
Kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi, i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit Albin Kurti të cilit, përveç që i ankohet për menaxhim të dobët të pandemisë, i ofron bashkëpunimin e opozitës për ta luftuar COVID-19, nëse është nevoja edhe ta ndryshojnë sërish Ligjin për Buxhetin e vitit 2021.
Krasniqi e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve verore nga deputetët e Kuvendit dhe kthim të menjëhershëm në punë për ta menaxhuar situatën së bashku.
Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, veçse iu përgjigj menjëherë pozitivisht kësaj kërkese gjatë një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës, ndërkaq nga Lidhja Demokratike e Kosovës as pas pyetjeve të televizionit nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me thirrjen publike të kreut të PDK-së.
Një qëndrim gjatë pasdites nuk pati as Qeveria e Kosovës, nga ku konfirmuan vetëm pranimin e letrës.