Lajmet e fundit

Duke bërë garë ndër vete, LDK e PDK e Ferizajt as që kishin menduar se ‘’Vetëvendosje’’ do t’u dalë përpara me vota.
Pas humbjes së papritur, këto subjekte politike tashmë kanë bërë edhe analizën e parë pse dolën me këtë rezultat jo të kënaqshëm për ta.
Kryetari i LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa, tha se qytetarët e ndëshkuan LDK-në për shkak të formimit të qeverisë së Kosovës me PDK në zgjedhjet e kaluara.
‘’LDK-ja me votën e saj e bëri president Hashim Thaçin, ndërkaq kryeministri detyrohet që për shkak të prishjes së koalicionit të shkoj në shtëpi. Nuk ka pasur mundësi që këto mos të reflektohen tek qytetarët dhe në një mënyrë tek zhgënjimi dhe revolta të cilën e kanë shprehur në këtë mënyrë”, ka thënë Svarqa për televizionin Tema.
“Unë e vlerësoj rezultatin e votave sepse është një rezultat real, sado që ne kemi pasur ndoshta edhe shkaqe të tjera të cilat kanë ndikuar në këtë rezultat, qoftë edhe ajo që kemi pasur një numër të madh të votave të pavlefshme, por edhe mungesën e kandidatëve konkurrent, pasi që LDK-ja ishte duke garuar vetëm me tre sosh, si dhe hendikepin tjetër që Adem Salihaj nuk ka qenë i kandiduar derisa ne kemi pritur që ai do t’i ketë 10 mijë vota”.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së në Ferizaj, Agim Aliu, thotë se pushtetet kanë bërë gabime për të cilat edhe janë ndëshkuar nga votuesit, duke shtuar se nuk e kanë pritur fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë mendoj se në çdo rrethanë është fitues qytetari dhe pikërisht edhe fakti që ne jemi dakorduar që të zbresim tek qytetari ka qenë zgjidhja më e mirë dhe përgjigja e tij është që ne duhet ta vlerësojmë dhe respektojmë”.
“Por njëkohësisht edhe për t’i nxjerrë përfundimet e duhura për atë se çfarë në të vërtetë ishin platformat e partive politike dhe a ishin ofertat më të mira për qytetarin tonë”.
“Nuk e kemi pritur që VV do të ketë këtë rezultat dhe nuk ka pasur asnjë analizë të mundshme që do të paraqiste një rezultat të tillë të Vetëvendosjes”, ka thënë Aliu për televizionin Tema.