Lajmet e fundit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë lëshuar sallën e Kuvendit si shenjë revolte dhe duke kërkuar një përgjigjie nga misioni i EULEX-it lidhur me akuzat ndaj gjyqtarëve të këtij misioni, njofton Klan Kosova.
“Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demorkatike të Kosovës, shpreh këtu indinjatën dhe shqetësimin tonë të thellë në lidhje me raportimet e fundit në media ndërkombëtare dhe vendore që flasin për një qasje diskriminuese dhe paragjykuese nga zyrtarët e EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, të cilët janë gjykuar në procese të ndryshme nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij misioni”, tha në foltoren e Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi përmendi ish-kryetarin e gjyqtarëve të këtij misioni, Malcolm Simmons, dhe deklarimet e tij se gjykatës të EULEX-it kanë pasur qasje manipulative në rastet që ndërlidhen me ish-ushtarët e UCK-së, përfshirë këtu edhe gjykatësin kryesor të rastit “Drenica 2”, Dariusz Sielicki, për të cilin ka thënë se të akuzuarit i ka fyer vazhdimisht duke i quajtur edhe “kafshë”.
Ai tha se për ta është e papranueshme dhe joprofesionale një qasje e tillë manipulative ka qenë mënyra e trajtimit të rasteve në fjalë.
Krasniqi tha se ata e konsiderojnë që një akuzë kaq e rëndë nuk mund të lihet pa marrë përgjigjie dhe sqarim të plotë, pasi që ata duhet ta dinë të vërtetën rreth kësaj cështjeje.
Prandaj, si shenjë revolte, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan sallën e Kuvendit.