Lajmet e fundit

Qëndrimi i biznesit se platforma antimafia frikëson investitorët vendas dhe të huaj duke dëmtuar klimën e investimeve në vend, për Partinë Demokratike është i pabazë. Këshilltari ligjor në selinë blu, Gazmend Bardhi sqaron se nisma e demokratëve ka në themel çlirimin e ekonomisë nga korrupsioni dhe oligarkia, por mbi të gjitha garanton një proces të drejtë ligjor.
“Sigurisht do të ketë reagim nga biznesi, por nga ai biznes që është bërë palë në akte korruptive për të përftuar në mënyrë të paligjshme para nga buxheti i shtetit, apo pasuri publike. Iniciativa jonë është një masë që ndihmon biznesin e ndershëm, sepse duke garantuar që procesi i tenderimit apo partneritetet publike private të bëhen sipas ligjit, dmth me garë të hapur dhe në një treg ku secilit prej bizneseve i mundësohet pjesëmarrja. Kjo është ndihmë ndaj biznesit të ndershëm, vendas e të huaj”.
Nismën refuzon ta cilësojë gjueti shtrigash, raporton Tvklan, transmeton Klan Kosova.
“Qëllimi i vendosjes së emrit të çdo kompanie që ka përftuar atë koncesion ka pas një qëllim për të mos përgjithësuar të gjitha bizneset që kanë marrë pjesë në procedura konkurrimi, koncesioni apo partneriteti publik privat. Pra ne kemi evidentuar vetëm ato kontrata koncesioni apo PPP, leje dhe licenca me të cilat janë tjetërsuar pasuritë publike, që në vlerësimin tonë janë tërësisht korruptive, klienteliste dhe të paligjshme”.