Lajmet e fundit

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha, në një dalje për mediat deklaroi, se partia që ai drejton do të kërkoj referendum për importin e mbetjeve.
“Do dërgojmë në Kuvend kërkesën për një referendum për ndalimin e plotë të importimit të plehrave. Sot qytetarët nuk kanë zërin e tyre, zërin e tyre e ka zëvendësuar Edi Rama me një tufë mafiozësh të plehrave që duan të sjellin helmet këtu. E para është rikthimi i zërit të qytetarëve jo vetëm për çështjen e plehrave por çdo çështje tjetër. Në këtë referendum PD vjen me një propozim të qartë, zero import plehrash”, deklaroi Basha.
Kreu i opozitës theksoi se kjo është një prerje në besë e qytetarëve shqiptarë, shkruan gazeta Shekulli.
“Shkelja e premtimit dhe rikthimi i importit të plehrave është një aferë mafioze korruptive”, tha kreu i opozitës.
Lulzim Basha shprehu qëndrimin e Partisë Demokratike, se është kundër importit të plehrave dhe mbështeti protestën e thirrur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave.