Lajmet e fundit

Partia Demokratike komentoi sot votimin e djeshëm të socialistëve për referendumin që lidhej me mandatin e kryetarit. Në emër të selisë blu, sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, e cilësoi votimin e djeshëm brenda partisë më të madhe një farsë.
“Të gjitha shkeljet e evidentuara nga OSBE-ODIHR në raportin zyrtar për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, ishin të pranishme në votimin e djeshëm. Gangsterët e të fortët e Edi Ramës që kontrollojnë qendrat e votimit, ishin dje në krye të detyrës dhe tanimë ata janë promovuar nga Edi Rama pasi u ka besuar drejtimin e partisë”, tha Duma.
Ajo e akuzoi kreun e PS-së si “armik i konfirmuar i votës së lirë” dhe shtoi se “dhunimi i votës dje, tregon raportin që ky njeri ka me zgjedhjet, të vetmin raport që ka me votën, që është blerja, manipulimi, dhunimi”.
“Ndaj Partia Demokratike është e vendosur së bashku me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë të mos lejojë për asnjë moment që skemat e Edi Ramës kundër votës së lirë të zbatohen në zgjedhjet që po vijnë”, përfundoi Duma.