Lajmet e fundit

Partia Demokratike do të bojkotojë Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.
Opozita nuk ishte prezente as në mbledhjen e fundit, ndërsa e braktisi atë javën e shkuar kur mazhoranca vendosi ta votojë nen për nen dhe në tërësi draftin pavarësisht kundështimeve të palës tjetër.
Por vendimi për ta bojkotuar përfundimisht këtë komision vjen pasi mazhoranca ka nisur procedurat për ta futur draftin në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi i drejtoi një letër një ditë më parë Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, me anë të së cilës i kërkonte që drafti të futej në punimet e parlamentit.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka reagoi menjehërë duke e quajtur këtë si “provokim të rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë. “Rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias.
Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur. Dhe fundi i kësaj betejë padyshim nuk do të jetë fitorja por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës”, deklaroi Paloka. /Lapsi.al