Lajmet e fundit
Botimeve me natyrë letrare, kritike e studimore i është bashkangjitur më e reja,“Pasqyra e t’rrëfyemit”. Gjatë promovimit, themeluesi i saj, Behar Gjoka e quajti tryezë e mendimit të lirë dhe lajmëroi se do të sjellë letërsinë e hershme shqipe, figurën dhe veprën e Budit.

Numri i parë nuk mund veçse t’i dedikohej atij, kumbarit që e pagëzoi 4 shekuj më parë veprën e tij “Pasqyra e t’rrëfyemit”, një libër me rëndësi të veçantë, që e bën të madhin Pjetër Budi lëvruesin e parë të prozës origjinale, me gjasë teksti më i ngjeshur dhe më i vlertë shkrimor i autorit. Ndaj dhe Instituti i Qendrës Shqiptare të Studimeve “Pjetër Budi” vendosi ta pagëzonte revistën më të re që u bashkëngjitet simotrave në tregun e botimeve letrare me natyrë kritike e studimore, jo rastësisht “Pasqyra e t’rrëfyemit”.
Një revistë letrare, një pasqyrë e letërsisë të të gjitha periudhave kur është shkruar e krijuar shqip, e cila do të botohet tri herë në vit.
Në këtë numër të parë, i cili u promovua ditën e djeshme në mjediset e “Friend’s Book House” vijnë të botuara mendimet dhe analizat e pedagogëve dhe studiueseve kritikë, si Behar Gjoka, Ardian Vehbiu, Agron Tufa, Hysni Ndreu, Erjus Mezini, Ermir Nika e të tjerë.
“Pasqyra e t’rrëfyemit”, sipas stafit të saj, nuk ka vetëm profil studimor, por është edhe një pasqyrë që të gjithë të orientohen drejt letërsisë së mirë. Drejtori i Qendrës Shqiptare të studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Behar Gjoka, u shpreh se revista e re do të vijojë të jetë një dritare e mendimit pro dhe kundër, ndaj për këtë ka zgjedhur që moto të revistës të ketë epistolatin e Volterit: “Unë nuk pajtohem me ato që keni për të thënë, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tuaj për ta thënë atë”.
Botimi i kësaj reviste ka qenë fryt i “bashkëmendimtarëve të qendrës”, siç i quan Gjoka. Përveç titullit të librit të Budit, është menduar që në hapësirat e revistës të jetë e pranishme edhe gravura e famshme që gjendet në faqen katër të botimit të parë të librit.
Titulli “Pasqyra e t’rrëfyemit”, tashmë si emërtim i revistës, është konceptuar më tepër si një marrëdhënie metaforike dhe studimore. Sipas themeluesit Behar Gjoka, revista është thelbësisht e çliruar nga hermetizmi i panevojshëm i teorizimeve të pafundme, aq të pranishme në qasjet e këtyre kohëve, që më tepër e largojnë lexuesin nga letërsia dhe nga libri. Imazhi i njërit prej librave të Pjetër Budit (1566-1622), poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, vepra “Pasqyra e t’rrëfyemit” botuar në Romë një vit para ndarjes enigmatike nga jeta të autorit (në valët e lumit Drin, duke qenë kështu edhe poeti pa varr).
Gjithashtu, libri i Budit, do të jetë fytyra e kopertinës së revistës. “Pasqyra e t’rrëfyemit” është një revistë që ka marrë përsipër me sjellë më pranë letërsinë e hershme shqipe, figurën dhe veprën e Budit, për të cilin më herët, në mes shumë përcaktimesh të tjera, shkruan Selman Riza, poeti ma frymëgjatë i letrave shqipe”, – shkruan Gjoka.
Emri i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, një zgjedhje jorastësore dhe e mirëmenduar, përfaqëson atë çfarë mendojmë për letërsinë, gjuhën dhe kulturën, për artin dhe domosdoshmërinë e komunikimit për atë, që në këtë rast zbulohet e përthyer në pasqyrat e mendjes dhe shpirtit, si rrëfim më i hapur dhe më kulturor, me kohën dhe hapësirën, e veçmas me binarët e të menduarit për botën, për letërsinë shqipe. “Pasqyra e t’rrëfyemit” vendos një marrëdhënie ndërkohore të aktit dhe vlerës së librit të Pjetër Budit.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu:
http://www.mapo.al/2015/07/pasqyra-e-trrefyemit-lind-revista-e-re-letrare