Lajmet e fundit

Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina ka njoftuar se pas reshjeve të dendura atmosferike mbi vendin tonë, niveli i ujit në liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci, kanë shënuar ngritje të kënaqshme, prej 1 metër.
"Reshjet dhe ardhjet e vazhdueshme prej lumenjëve dhe përrockave direkt në liqenet akumuluese sipërfaqësore, kanë shkaktuar turbullirë të ujit në liqenin e Badocit prej nga furnizohen me ujë të pijshëm 30% e konsumatorëve të kryeqytetit, por në gjendje më të mirë është liqeni i Batllavës prej nga furnizohen 70% e konsumatorëve".
"Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është (- 4.64 m) nën kuotën maksimale, derisa niveli i ujit në liqenin e Badocit është ( - 2.89 m)."
Kompania e Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina" thekson se gjatë ditës së sotme, ka qenë e detyruar që të zvogëloj prodhimin e ujit nga fabrika e Badocit, prej 350 l/s në 150 l/s, në mënyrë që të ruhet cilësia e ujit të pijshëm, transmeton Klan Kosova .