Lajmet e fundit

Punonjës të sistemit të arsimit në Kosovë, vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth vështirësive që kanë gjatë punës, por edhe me rastin e daljes në pension, pas përfundimit të mandatit të tyre.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka thënë se shqetësim kryesor dhe njëherësh kërkesë që tashmë e ka dërguar në adresë të zyrtarëve qeveritarë, është fakti se shumica e të pensionuarve nga sektori i arsimit, nuk marrin pensionin aktual të punës, por marrin atë të pleqërisë prej 75 eurosh.
Problemi është, thotë ai, se autoritetet kompetente nuk njohin stazhin e punës për periudhën 1989-1999, kur mësimdhënësit janë larguar dhunshëm nga puna prej regjimit të atëhershëm serb.
Sipas tij, kjo çështje është e rregulluar me ligj.
“Ne kemi shprehur dëshirën që të ulemi në tavolinën e bisedimeve me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të shohim se ku është problemi. Ligji mbi skemat pensionale të financuara nga shteti, neni 8, pika 6, u garanton të gjithë të punësuarve në arsim, pension të plotë".
"Kjo, pasi vitet e okupimit në të cilat mësimdhënësit kanë punuar dhe nuk e kanë ndalur mësimin asnjë ditë, janë të pranueshme edhe me vendimin e qeverisë së mëhershme, por edhe Ligjit aktual që garanton që pensionet të jenë 140 euro", tha Jasharaj, për Radion Evropa e Lirë.