Lajmet e fundit

Partitë politike në Kosovë, ndonëse një pjesë e tyre kanë shënuar punën e tyre prej dekadash, e disa janë më të vonshme, ato nuk kanë arritur që të profilizohen politikisht dhe ideologjikisht, si parti të djathta, të majta, socialdemokrate, liberale demokratike etj, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Ky mosprofilizim i tyre, siç thonë ata, vazhdon edhe më tej, pavarësisht se shumica e tyre kanë përvojë qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, duke bërë disa herë koalicione partnerësh për qeverisje, koalicione parazgjedhore, por dhe koalicione pas zgjedhjeve.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që partitë politike në Kosovë udhëhiqen sipas, siç e quan ai, mentalitetit ballkanik, me bajraktarizëm dhe me liderizëm. Për pasojë, sipas tij, nuk është në interesin e elitave të partive politike që të profilizohen ideologjikisht, sepse një gjë të tillë nuk e shohin si hap pragmatik.