Rezultatet paraprake dhe të pjesshme të publikuara të shtunën tregojnë se një parti e re politike e udhëhequr nga një ish-reper po prin në zgjedhjet parlamentare në Nepal, të parat që nga revolta e udhëhequr nga të rinjtë vitin e kaluar.
“Rastriya Swatantra Party”, ose Partia Kombëtare e Pavarur, ka fituar tashmë 27 nga 165 ulëset që zgjidhen drejtpërdrejt dhe po prin në 90 zona të tjera zgjedhore, sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Zgjedhor në Nepal, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Kandidati i saj për kryeministër është reperi i kthyer në politikan Balendra Shah, i cili fitoi garën për kryetar të Katmandusë në vitin 2022 dhe u shfaq si një figurë udhëheqëse në kryengritjen e vitit 2025 që rrëzoi ish-kryeministrin Khadga Prasad Oli.
35-vjeçari theksoi shëndetësinë dhe arsimin për nepalezët e varfër si fokus kryesor të fushatës së tij, e cila u mbështet në valën e zemërimit publik ndaj partive tradicionale politike.
Ai po garon drejtpërdrejt kundër Olit në një distrikt juglindor, ku ka një epërsi të konsiderueshme ndaj ish-kryeministrit ndërsa numërimi i votave vazhdon.
Gjashtë ulëset e tjera që janë shpallur deri tani kanë shkuar për Kongresi i Nepalit dhe për dy parti komuniste.
Votuesit po zgjedhin drejtpërdrejt 165 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhoma e ulët e parlamentit. 110 ulëset e mbetura në organin prej 275 anëtarësh do të ndahen përmes sistemit të përfaqësimit proporcional, sipas të cilit partitë politike marrin ulëse në bazë të përqindjes së votave që kanë fituar.
Numërimi i votave po vazhdonte të shtunën në shumicën e zonave zgjedhore të vendit dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen brenda dy ditëve të ardhshme. Kutitë e votimit po mblidheshin nga fshatrat e largëta malore në pjesët veriore të vendit duke përdorur helikopterë.
Zgjedhjet shihen gjerësisht si një garë mes tre forcave, e formësuar nga pakënaqësia e votuesve për korrupsionin e përhapur dhe kërkesat për më shumë përgjegjësi nga qeveria.
Partia Kombëtare e Pavarur u themelua vetëm në vitin 2022, por në këto zgjedhje ka fituar mbështetje të madhe, duke dalë në krye dhe duke sfiduar fuqishëm dy partitë që kanë dominuar për një kohë të gjatë: Kongresi i Nepalit dhe Partia Komuniste e Nepalit (Marksistët-Leninistët e Unifikuar).
Protestat e vitit 2025 kundër korrupsionit dhe qeverisjes së dobët u nxitën nga ndalimi i rrjeteve sociale, përpara se të përshkallëzoheshin në një revoltë popullore kundër qeverisë. Dhjetëra persona u vranë dhe qindra u plagosën kur protestuesit sulmuan ndërtesat qeveritare dhe policia hapi zjarr ndaj tyre. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.