Lajmet e fundit

Avokati Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, e ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për shkelje të proceduarave, duke e krahasuar atë veprën “Procesi” të Franc Kafkës.
"E kemi një proces Kafkian, nëse mund ta quaj ashtu figurativisht ku subjektet janë në hetime pafundësisht dhe nëpërmjet këtij statusi të padefinuar procedural ushtrohet presion i kundërligjshëm qoftë duke i cytur për të bërë, apo për të mos bërë ndonjë veprim, apo në anën tjetër duke penguar në jetën e tyre të përgjithshme dhe ushtrimin e të gjitha aktiviteteve jetësore.”
“Ideja këtu është që kjo është e kundërligjshme si praktikë, e pengon edhe përgatitjen e mbrojtjes, paramendoni nëse mbrojtja dëshiron me intervistu dikë që është intervistuar apo ta propozoj si dëshmitar dikë që është propozuar si i dyshuar atje, normal që ai person pëlqimin për të qenë dëshmitar në dobi të mbrojtjes do të ia nënshtroj vendimit sa i përket statusit të tij apo të saj, sepse çështja e tij apo e saj ende nuk është përfunduar, kështu që këto praktika i kemi parë vetëm në një sistem të cilin e kemi parë në të kaluarën, i cili shpjegohet në romanin që e përmenda dhe si i tillë është i kundërligjshëm, është kundërshtuar disa herë edhe ligjërisht", tha Pallaska në Rubikon.
Sipas Pallaskës, ashtu si te “Procesi” i Kafkës ku i akuzuari nuk e di se me çfarë faji ngarkohet dhe hetimet zgjasin pafundësisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar praktikon vendosjen e njerëzve nën hetime pa e specifikuar se për çfarë vepra janë duke u hetuar.
“Ajo më e çuditshmja, sot nëse të fton një prokuror i Kosovës, apo i cilit do vend demokratik thotë të kemi thirre sepse dyshohet se me datën kaq, ta jep një datë, e ke kryer këtë veprim, në këtë lokacion, dhe kjo ta mundëson të vendosësh se a don të mbrohesh në heshtje, apo jo, ta mundëson të drejtën e mos inkriminimit nëse përgjigjesh, se e ke orientimin rreth asaj se për çka po hetohesh. Këta a e din çfarë paralajmërime japin? Këta thonë që je i dyshuar se mund të kesh kryer një apo më shumë vepra që hyjnë në mandatin tonë dhe pikë. Si mund të orientohesh drejt kësaj? E drejta kushtetuese e secilit njeri që ballafaqohet me një prokurori është me i ditë edhe me i kuptu akuzat apo pretendimet për të cilat është subjekt i procedurës, këta as këtë të drejtë nuk ta akordojnë", tha Pallaska.