Lajmet e fundit

Një nga veprat më të njohura të instilacionit të artit publik, “Reja” (Cloud), ideuar nga artisti i mirënjohur japonez Sou Fuxhimoto, po vendoset përpara Galerisë së Arteve në Tiranë.
Brenda pak muajsh ajo do të shndërrohet në një mjedis kulturor, me aktivitete të shumta për publikun, bën me dije Bashkia e kryeqytetit me një komunikatë për media.
Vepra, e cila vjen në Tiranë si një donacion i fondacionit “Luma”, pasi ka qëndruar për disa kohë në galerinë “Serpentine” në Londër, do të jetë e vizitueshme nga publiku kryeqytetas, e ndërthurur edhe me një kalendar të detajuar aktivitetesh nga Bashkia e Tiranës.
Kryetari Erion Veliaj ishte sot i pranishëm në mjediset e jashtme të GKA-së, ku kjo vepër sapo ka nisur të vendoset. “Më vjen mirë që në një ditë me re, instalacioni që prezantojmë sot quhet ‘Reja’ dhe në fakt është një metaforë edhe e motit, por mbi të gjitha është një kryevepër botërore e cila transferohet në Tiranë e huazuar nga galeria ‘Serpentine’ në Londër”, u shpreh Veliaj.
Instalacioni është vendosur në Londër në vitin 2013 dhe është vizituar nga miliona banorë të Anglisë dhe Evropës.
“Në pamundësi për të çuar gjithë Tiranën në Londër, në fakt po sjellim një pjesë të Londrës në Tiranë. Por, me buxhetin e kufizuar të Bashkisë e kishim të pamundur të përballonim qoftë edhe qiranë apo punimet për instalacione të tilla, ndaj i jam shumë mirënjohës znj. Maja Hofman dhe fondacionit “Luma” në Zvicër dhe Francë, të cilët kanë përballuar të gjitha kostot, si të transportit, instalimit dhe të siguracionit”, vijoi kryebashkiaku.
Sipas tij, ardhja e kësaj vepre hap siparin për një vit kalendarik të mbushur me aktivitete dhe art modern për qytetin. “Qëllimi ynë është që me këtë vepër të nisim një vit kalendarik, ku në hapësirat publike të Tiranës të instalojmë vepra me rëndësi publike dhe art modern. Unë besoj se arti në publik e bën publikun edhe më të dashur, më civil. Ndaj besoj se Tirana e ëndrrave tona dhe e këtij mandati do të jetë një qytet që në hapësirat e saj publike shumon artin modern. Jam shumë i ndërgjegjshëm edhe për kërkesat nga bashkësia e artistëve, ku përveç infrastrukturës duhen investime edhe në kulturë dhe kjo është përgjigja jonë konkrete në këtë fillim viti për këtë komunitet”, tha Veliaj.
Punimet do të zgjasin 2-3 muaj, çka do të thotë se vepra do të jetë gati në fillim të pranverës. “Ky instalacion është jo vetëm një vepër artistike, por në vetvete është edhe një hapësirë më shumë për artistët dhe ata që organizojnë aktivitete kulturore. Kalendari intensiv fillon nga janari, me instalimin e Sou Fuxhimotos dhe do të vijojë me punë e aktivitete të tjera që do të zhvillohen brenda kësaj vepre”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës.
“Reja” ka një sipërfaqe rreth 541 metra katrorë dhe lartësia maksimale shkon deri në shtatë metra. Krahas aksesit të vazhdueshëm të publikut të gjerë, “Reja” do të funksionojë si hapësirë e pavarur, me një kalendar të ngjeshur ngjarjesh, të ndërtuar në bashkëpunim më partnerë kulturorë lokalë, individë, institucione edukimi, komunitetet etj. Pavijoni është menduar si një hapësirë e lirë sociale dhe rrjedhimisht Fuxhimoto e ka përshkruar si “një terren transparent, një strukturë delikate, tripërmasore dhe çdo njësi është e përbërë nga shufra çeliku”. Frymëzuar nga strukturat organike të tilla si pyjet, ndërtesat e Fuxhimotos jetojnë në harmoni mes natyrës dhe kanë një shtirje të gjerë në lidhje me territorin përreth./Gazeta Shekulli/