Lajmet e fundit

Behgjet Paolli, ish presidenti i Kosovës dhe njëkohësisht njëri ndër personat më të pasur shqiptarë i inspiruar nga dokumentari i Zonës Express i transmetuar në Klan Kosova, “Shtabi i milionerëve”, ka treguar se si ia ka arritur që ta bëjë milionin e parë të pasurisë së tij multi-milionëshe, transmeton Klan Kosova.
“Duke shikuar në Internet pashë edhe një herë emisionin investigativ “Shtabi i Milionerëve”. Me siguri shumë qytetarë kanë pyetur si ka ndodhur ky pasurim i shpejtë i këtyre politikanëve që përmendeshin në atë emision. Këta paskan qenë dikur në shtabe lufte, që për qytetarët ishin si sinonim i së mirës dhe krenarisë patriotike kombëtare. Tash këta njerëz qenkan në një shtab tjetër, shtab milionerësh. Pra, paska ndërruar edhe objektivi i luftës, luftë për miliona”.
Ai në profilin e tij në Facebook shkruan se pasurinë e ka filluar me shumë vështirësi, pas një pune disa vjeçare.
“Unë milionin e parë e bëra me shumë vështirësi, punë 35 vjeçare e sakrifica, jashtë shtetit, në një konkurrencë të ashpër të ekonomisë së tregut të lirë, duke konkurruar me mendjet më kreative të botës, ndërsa anëtarët e Shtabit të Milionerëve pasurinë e tyre, siç e pashë, e kishin krijuar pa hasur në kurrfarë vështirësie e pa konkurrencë”, shkruan ai.