Lajmet e fundit

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka mbajtur sot një tubim elektoral në vendlindjen e tij në Hajvali, bashkë me anëtarët e tjerë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa.
Pacolli u bëri thirrje votuesve që në ditën e zgjedhjeve t'i thonë "mjaft më" qeverisjeve që kanë ndodhur prej viteve të pasluftës dhe njerëzve që sipas tij e kanë mbajtur peng dhe zhvatur Kosovën.
"Ka ardhur koha ta mbështesim njeriun e fjalës, njeriun e dijes, njeriun me edukatë familjare, me kulturë evropiane, që e sheh te puna dhe vetëm me punë", tha ai për kandidatin e këtij koalicioni për kryeministër, Avdullah Hotin.
"Hajvalinë dhe krejt Gollakun e kemi prapa".
"Do të qëndrojmë prapa juve, Avdullah, gjithmonë me shumë shpresë se ndryshimi i madh do të ndodhë më 11 qershor dhe jam i bindur se do të ndodhë", tha Pacolli duke iu drejtuar Hotit.
Ai fjalimin e tij e përmbylli duke falënderuar bashkëfshatarët e tij në Hajvali duke thënë se tani janë në shtëpinë e përbashkët të Ibrahim Rugovës, dhe se një ndarje do të jetë shumë e vështirë.
"Tani jemi në shtëpinë e përbashkët të Ibrahim Rugovës, nuk e di se cili cilit ia ka hapur derën por jemi bashkuar në këtë fushë të mejdanit dhe një ndarje do të jetë shumë e vështirë", përfundoi ai.