Në Info Magazinen e sotme është biseduar për mosimplementimin e marrëveshjes për Lëvizje të Lirë në mes Prishtinës dhe Beogradit, e cila do të duhet të fillonte zbatimin sot, me 24 korrik.
Gjithashtu u bisedua edhe rreth uljes së taksës për bashkatdhetarë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
I ftuar i Kushtrim Sadikut ishte Rrahim Pacolli, Kryetari i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës dhe kryesuesi Grupit Teknik për Çështje të Sigurimeve.
Ai tha se arsye për moszbatim të marrëveshjes është kryekëput pala serbe, transmeton Klan Kosova.
Sipas Pacollit, për këtë Qeveria e Kosovës duhet të ndalë bisedimet me Serbinë, derisa një marrëveshje e qartë dhe e detajuar të funksionalizohet e pastaj implementohet.
“Pala kosovare nuk duhet të diskutojë asnjë minutë më tepër pa u qartësuar gjërat”.
“Bëj apel te Qeveria e Kosovës që t’i ndërpresë bisedimet, pasi nuk po respektohet kjo marrëveshje”.
“Serbia po e sfidon Brukselin dhe po i pengon qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.
Pacolli e ka një ide përse serbëve po u pengon marrëveshja.
“Palës serbe po i pengon diçka në këtë marrëveshje – Serbia i ka problem tablat e Kosovës me RKS".
“Gjithsesi marrëveshja nuk është anuluar, por është shtyrë”.
“Mendoj se Brukseli duhet të ndërmarrë masa, derisa pala kosovare është e gatshme”.
“Por, marrëveshja duhet të implementohet ashtu siç është bërë fillimisht”.
Pacolli deklaroi se një prishje e përhershme e marrëveshjes do të dëmtonte qytetarët e të dyja vendeve – Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia duhet ta ketë të qartë që marrëveshjet juridike dhe politike duhen respektuar. Shpresoj që marrëveshja të hyj në fuqi dhe të ecë përpara”.
“Nuk besoj që Kosova duhet të hyjë në aventura të Serbisë, sepse me marrëveshjen e fundit u tregua se është shtet që bën gabime të mëdha”.
“Unë mendoj që nuk duhet të bëhemi të njëjtë me ta, por duhet mbrojtur qytetari i Kosovës. Serbia na ka maltretuar me këto gjëra vazhdimisht gjatë bisedimeve në Bruksel”.
Kryetari i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës foli edhe rreth taksimit të bashkëatdhetarëve.
“Unë jam kundër taksimit të bashkatdhetarëve”.
“Ata vitin tjetër, më 1 qershor do të vijnë pa pasur nevojë që të paguajnë taksa”.
“Kam biseduar me Byronë Evropiane që të hapet një pikë në Prishtinë, ku qytetarët e Kosovës mund të pajisen me Karton të Gjelbër, për ta pasur të mundshëm udhëtimin në secilin vend evropian”.
“Ndërsa, qytetarët evropianë të hyjnë në Kosovë pa paguar asgjë”.
“Sivjet kemi pasur 1300 automjete më shumë për 7 ditë, shkaku i zvogëlimit të pritjeve dhe tarifave të polisave të sigurimit”.
“Vitin tjetër kur t’ju hiqet 100% kjo taksë, buxheti i Kosovës do të fitojë 100 milionë euro, ndërsa sivjet priten diku 50 milionë, shkaku i zvogëlimit të taksës”.
Pacolli u deklarua edhe rreth Kartonit të Gjelbër, për të cilin tha se Kosova do ta marrë më 1 korrik të vitit 2016.
“Kosovarët do të dalin me të dhe të tjerët do të hyjnë në Kosovë pa paguar polisë”.
“Disa kompani mund ta falimentojnë, por mbi të gjitha është qytetari”.
“Këto janë interesa më të gjera dhe në fund gjithçka do të stabilizohet”.
klankosova.tv