Lajmet e fundit

Kosova, me përvojën e saj në ndërtimin e paqes, bashkëjetesën në mes komuniteteve dhe tolerancën ndërfetare mund të shërbejë si një model suksesi për vendet tjera në botë.
Ky ka qenë mesazhi i Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, në inaugurimin e Konferencës Globale për Tolerancë dhe Paqe, e cila po i zhvillon punimet e saj, në Valletta të Maltës, ku edhe do ta ketë selinë.
Në kuadër të kësaj konference, kryediplomati kosovar ka qenë folësi kryesor, së bashku me kryeministrin e Maltës, JosephMuscat, si dhe homologun e tij nga Malta, Carmelo Abela.
Këshilli Botëror për Tolerancë dhe Paqe është themeluar nga një grup personalitetesh nga e gjithë bota, që përfshinë senatorë amerikanë, ambasadorë, vendimmarrës nga kontinente të ndryshme botërore dhe i cili, do të përkushtohet në nxitjen e iniciativave në të gjithë botën, për paqe dhe tolerancë.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Maltë, shefi i diplomacisë kosovare u prit në takime të ndara nga Presidentja e Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca dhe Ministri i Jashtëm, Carmelo Abela dhe ku ishte darkorduar për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe organizimin e një Forumi Ekonomik, gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm të Maltës në Kosovë, së bashku me biznese nga ky shtet.