Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka bërë të ditur që Kosova dhe Sllovenia do të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe për këtë qëllim do të mbahet një Forum Ekonomik brenda tre muajve të ardhshëm.
Nga shteti mik dhe partnerë slloven do të kemi mbështetjen e plotë në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për anëtarësimin e plotë në Organizatat Ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Interpol dhe UNESCO.
Pacolli gjatë vizitës së tij në Slloveni është takuar me krerët më të lartë të këtij shteti, duke përfshirë homologun e tij, ministrin e jashtëm slloven, Karl Erjavec, Presidentin, Borut Pahor dhe me Kryetarin e Parlamentit, Milan Brglez.
Me qëllimin e thellimit dhe intensifikimit të mëtejmë të Bashkëpunimit Ekonomik në mes të dyja vendeve do të themelohet edhe një Komision për Bashkëpunim Ekonomik në nivel ministrash.
Ministri Pacolli ka pohuar se Kosova dhe Sllovenia kanë pasur marrëdhënie tradicionalisht të mira dhe ky shtet mik dhe partner, kishte mbështetur Kosovën dhe kishte hapur dyert për shumë intelektualë shqiptarë nga Kosova edhe në kohën kur ajo përballej me represionin serb dhe shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut.
Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, Sllovenia llogaritet si njëri nga shtetet me nivel të lartë të Investimeve të Huaja Direkte në vend dhe në tregun e Kosovës sot operojnë qindra kompani me kapital slloven.