Lajmet e fundit

Në kuadër të organizimit të brendshëm të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka vizituar sot Gjilanin, ku është takuar me strukturat e partisë që e udhëheq në këtë qytet.
Pacolli në fjalën e tij hyrëse, i falënderoi të pranishmit dhe i inkurajoi ata që të angazhohen fuqishëm në ngritjen e kapaciteteve të Aleancës Kosova e Re në këtë qytet.
Duke folur për situatën e përgjithshme në Kosovë, numri një i AKR-së ka thënë se gjendja ekonomike në vend është në gjendje të mjerueshme. Ai kritikoi pushtetin aktual, duke thënë se ky i fundit është i fokusuar në interesa personale dhe klanore, e jo ato të qytetarit.
“Unë e kam vëzhguar situatën fare mirë, kam qenë në bashkëqeverisje dhe jam vërtetuar se aty ku ne mendojmë se bëhet punë për qytetarin, nuk bëhet. Përfaqësuesit e pushtetit merren më shumë me punësimin e familjarëve dhe shokëve të tyre. Ne i kemi dëgjuar edhe bisedat e klanit “Pronto”, përmes të cilave mund të shihni se si mbahet peng Kosova” ka thënë Pacolli, duke e përmendur edhe pezullimin e liberalizimit të vizave, si çështje që do të duhej të përfundonte shumë më parë, transmeton Klan Kosova.