Lajmet e fundit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është deklaruar në kundërshtim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Përmes një komunikate, OVL e UÇK-së thotë se ka zhvilluar takime me Komisionin Qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, e po ashtu edhe me ekspertët që po e kundërshtojnë marrëveshjen, dhe ka dëgjuar argumentet e të dyja palëve, por thotë se përkrahë vetëm njërën palë.
“OVL të UÇK-së, ka zhvilluar takime si me Komisionin Shtetëror ashtu edhe me antarët e Komisionit të Ekspertëve, që nga shfaqja e pakënaqësive të para rreth këtij procesi. Ne nuk dyshojmë në mungesën e patriotizmit apo profesionalizmit te secila prej palëve. Por, pas analizës së hollësishme të argumenteve, OVL të UÇK-së konsideron se argumentet e Komisionit të Ekspertëve janë më të drejta dhe më të qëndrueshme. Si pasojë, ne ftojmë Kuvendin e Kosovës që të mos e ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi
Kjo organizatë, bën thirrje që kundërshtimi i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, duhet të bëhet përmes rrugëve demokratike dhe jo të dhunshme.
“OVL gjithashtu, konsideron se kundërshtimi i ratifikimit të demarkacionit, duhet të bëhet me të gjitha mjetet demokratike, pa u dëmtuar objektet qeveritare apo private, sepse përdorimi i dhunës nuk na nevojitet, ashtu siç nuk na nevojitet as falja e territorit tonë fqinjëve”.