Lajmet e fundit

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani priti ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, me të cilën diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe rolin që Kroacia mund të luajë në procesin e integrimit më të shpejtë të Kosovës në strukturat e BE-së.
“Kroacia si vend i cili e ka presidencën Këshillit të Bashkimit Europian, si dhe vend mik, e kupton më së miri aspiratën e popullit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, tha Osmani.
Sipas saj, kryesimi i Këshillit nga anëtari më i ri i Bashkimit Europian mund të shërbejë si shtytje për t’i përqendruar energjitë tona në përshpejtimin e procesit të integrimit.
“Përvoja kroate mund t’i shërbejë popullit dhe institucioneve të Kosovës, për ta realizuar më shpejtë aspiratën e tij për integrim”.
Edhe ambasadroja kroate shprehu gatishmërinë e vendit të saj që ta thellojë edhe më tej bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe institucionet e tjera, për ta lehtësuar integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.
Sipas saj, për Presidencën e Kroacisë është shumë i rëndësishëm zhvillimi i politikave që prekin regjionin.
Ajo e siguroi kryeparlamentaren Osmani se vendi i saj do ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në të gjitha aspektet, përfshirë edhe procesin e përafrimit me Bashkimin Europian, si dhe të integrimit në të.