Lajmet e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kosharës”.
Ajo ka thënë se thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë, njofton Klan Kosova.
“Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.
Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri”.
“Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike. Kësisoj Kosharja u shndërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.”
Kosharen ajo e quajti si vend ku u bë bashkë trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë.
“Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë! Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave! Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!”.