Lajmet e fundit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si arrogant kryeministrin, Avdullah Hoti.
Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të tij se Osmani gjithmonë e ka pasur gabim, kryeparlamentarja tha se shefi i ekzekutivit nuk e di se çfarë flet.
"Zoti Hoti nuk e di çka flet e para, e dyta kjo qasja arrogante e tij është për të ardhur keq për një kryeministër të vendit. E treta nëse kthehemi prapa historisë do ta shihni se çdo herë që kam shprehur shqetësime z. Hotit dhe shokëve të tij i janë dashur shumë vite, si psh për marrëveshjen para 6 viteve dhe kanë ardhur prapë aty ku kam qenë unë. Kur unë e kritikoja koalicionin me PDK-në, ata e përkrahnin pastaj ata erdhën te fjalët e mia, kur unë e kritikoja zgjedhjen e Thaçit president ata nuk pajtoheshin erdhën te fjalët e mia. Edhe te kjo do të vijnë por do të jetë tepër vonë për Republikën e Kosovës, për dëmin që janë kanë bërë duke shkelur vullnetin qytetar", tha ajo.
Osmani pasi mori pjesë në një aktivitet për ndihëm juridike falas, të hënën e akuzoi Hotin edhe për mungesë transparence në dialogun Kosovë-Serbi.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga kryeministri që në takimin e sotëm në Bruksel mos të hap tema që dëmtojmë sovranitetin dhe integritetin e vendit.
"Pra përderisa zyrtarisht si Kuvend i Kosovës nuk jemi të njoftuar për agjendën e diskutimeve, është vështirë që të flas për pritshmëritë. Natyrisht që delegacioni i Kosovës ka obligime të caktuara kushtetuese të cilat janë rikonfirmuar në Kuvendin e Kosovës që një kohë të gjatë, që të mos diskutojë çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e vendit, që kanë të bëjnë me territorin e vendit, apo integritetin territorial dhe assesi nuk guxojnë të diskutojnë çështje që mund ta rrezikojnë funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Ato janë vija të qarta të kuqe të cilat kushdo qoftë e ka për obligim t'i respektojë", tha ajo.
Derisa tha se është duke diskutuar për mundësitë e thirrjes së një seance ku do të raportonte kryeministri për marrëveshjen e Uashingtonit.
Por tha se kjo varet nga grupet parlamentare, pasi që Kushtetuta e vendit parasheh që Kuvendi rikthehet në sesionin vjeshtor në javën e dytë të shtatorit.
Po ashtu ajo tha se është mirë që të pritet edhe përfundimi i takimeve në Bruksel në mënyrë që raportimi të jetë i plotë, shkruan KP.
"Jam duke komunikuar me grupet parlamentare për të parë nëse kanë interesim. Natyrisht se kjo nuk mund të bëhet njëanshme, përderisa Kushtetuta e Kosovës parasheh që Kuvendi rikthehet në sesionin vjeshtor në javën e dytë të shtatorit. Mirëpo në qoftë se grupet parlamentare kanë interesim atëherë mund të ftohet seancë e jashtëzakonshme dhe cila do që jetë kërkesa e grupeve parlamentare natyrisht ne mund të thërrasim seancë. Por duhet të presim derisa të kryhen edhe takimet në Bruksel në mënyrë që raportimi të jetë i tërësishëm", tha ajo.