Lajmet e fundit

19:27 - Osmani, Amanpourit: Kosova është nën sulm
Në intervistën ekskluzive për Christiane Amanpour në CNN, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur në lidhje me Asociacionin.
Ajo tha se Kosova është zotuar se do t’i zbatojë marrëveshjet e Brukselit, e sidomos këto të fundit në Bruksel e Ohër.
“Kosova është nën sulm, është nën akt agresioni. Natyrisht, gjëja e parë që e duam është që Radoiçiqi t’i dorëzohet Kosovës që të ketë drejtësi. Serbia nuk ka bërë drejtësi. Së dyti, ka vetëm një palë konstruktive në atë dialog, dhe ajo ka qenë Republika e Kosovës që i ka plotësuar 99% të obligimeve, është krejtësisht e kundërta që ka bërë Vuçiqi. Siç tha në intervistën tuaj, ‘unë jam i gatshëm të negociojë’, por Serbia s’ka realizuar asnjë marrëveshje. Ka një listë të gjatë të obligimeve që i ka ndërmarrë që nga 2011, diplomat e të tjerat. Më 2013, Serbia u zotua për shpërbërjen e të gjitha strukturave ilegale në veri, por ato u kthyen në banda kriminale që po kryejnë akte terroriste me urdhër të Serbisë. Kosova është zotuar se do t’i zbatojë marrëveshjet, nisur nga ajo e Brukselit dhe e Ohrit. Do të thotë, është zotuar për vetëmenaxhim për serbët. Por të mos harrojmë, Kosova po kërkon diçka të thjeshtë: duam balans dhe drejtësi në atë dialog, që nuk e kemi pasur. Grupet kriminale të Vuçiqit kanë sulmuar 93 ushtarë të KFOR-it, dhe s’ka llogaridhënie. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për ta”, deklaroi Osmani për Amanpour, raporton Klankosova.tv.
Më tej, e para e shtetit tha se Kosova ka propozuar një plan për sekuencim të marrëveshjes, por që të njëjtën gjë nuk e ka bërë pala serbe.
“Ne kemi marrë çdo hap që të jemi pala konstruktive në dialog. Kemi propozuar një plan për sekuencimin e marrëveshjes, kemi ecur me këshillat e partnerëve, tani jemi në koordinim me partnerët. Serbia nuk e ka bërë këtë gjë. Tani jemi në një akt agresioni që ka vrarë njerëz. Do të dëshiroja që Serbia të implementonte marrëveshjet”, u shpreh Vjosa Osmani. /Klankosova.tv
19.17- Osmani në CNN: Vuçiq po përdorë narrativën e Millosheviqit, ka partner kriminelin Radojiçiq
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po përdorë narrativën e Sllobodan Millosheviqit dhe qëndron prapa aktit terrorist në Banjskë.
''Ai po përdorë narrativën e Millosheviqit'', tha ajo në CNN, transmeton klankosova.tv.
Për këtë presidentja Osmani tha se ka mjaft dëshmi, sikurse pamjet e po ashtu përfshirë edhe arsenalin e armëve të gjetura në atë zonë, transmeton klankosova.tv.
''Këto nuk janë armë që përdoren nga qytetarë të zkonshëm por nga ushtarakë profesionistë'', deklaroi ajo mes tjerash.
Madje shefja e shtetit të Kosovës, u shpreh se vet Milan Radojiçiq, është partneri kryesor Aleksandër Vuçiqit, ndonëse gjendet pjesë e Listës së Zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
''Vuçiq dhe Serbia po fshihen prapa Milan Radojiçiqit''.
19.08 - Osmani në CNN: Nëse nuk ndëshkohet, Serbia do ta vazhdojë agresionin edhe në rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për Christiane Amanpour në CNN, ka thënë se nuk ka konfirmim se Serbia i ka tërhequr trupat nga kufiri me Kosovën.
“Jemi në komunikim me aleatët. Kosova po përballet me sfida sigurie nga Serbia pas aktit të agresionit më 24 shtator. Është urdhëruar nga aparati shtetëror serb, ky akt agresioni nuk ndodhi vetëm një herë, ishte i planifikuar dhe i planifikuar sikur në stilin e Krimesë”, deklaroi presidentja Osmani.
“Për të ndaluar këto akte agresioni, duhet sanksionuar e ndëshkuar Serbinë, por nëse nuk ka ndëshkim, ata do të inkurajohen që të përdorin dhunën, jo vetëm në Kosovë, por në rajon”, potencoi presidentja.