Lajmet e fundit

Ambasadori i sapo zgjedhur i prezencës së OSBE në Tiranë inkurajon Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që të përmbyllë përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, siç janë angazhuar të gjitha forcat politike.
Në një intervistë për Televizionin Klan, z. Bernd Borchardt thotë se koha është shumë e shkurtër për kryerjen e këtyre ndryshimeve, pasi të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të njihen dhe përgatiten mbi bazën e tyre për zgjedhjet e ardhshme.
“Kanë mbetur edhe pak javë deri kur Presidenti, mbështetur në kuadrin ligjor, të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme dhe të fillojë procesi përgatitor i zgjedhjeve. Institucionet përgjegjëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organet vendore, partitë, etj., kanë nevojë për kohë që të përgatiten dhe të njihen me sistemin. Deri tani rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i – të cilat partitë e mëdha janë zotuar se do t’i zbatojnë – nuk janë zbatuar ende. Pra, ndiejmë presionin e kohës për kryerjen e ndryshimeve, në mënyrë që të gjithë të mund t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet në terren të sigurt. Kështu që, ne e nxisim fuqimisht komisionin e posaçëm të punojë për këto çështje sa më shpejt të jetë e mundur”.
Lista të mbyllura apo ndryshim në lista të hapura, siç kërkon PD dhe LSI? I njëjti sistem zgjedhor apo ndryshim i tij siç kërkon opozita? Ambasadori Borchardt thotë se kjo është një çështje e konsensusit politik, por shqetësimi i tij është koha në dispozicion.
“Kjo çështje ka të bëjë me kohën në dispozicion dhe me shkallën e ndryshimeve. OSBE/ODIHR nuk sugjeron ndonjë sistem zgjedhor specifik. Pra, ne dhe OSBE/ODIHR e respektojmë plotësisht zgjedhjen e secilit vend për të zgjedhur sistemin zgjedhor më të përshtatshëm për të, për traditat dhe situatën e tij politike. Ajo që bëjmë ne është, nga njëra anë këshillojmë se si t’i përshtatet teknikisht një sistem në një situatë të caktuar dhe nga ana tjetër, rekomandojmë që procesi të shpejtohet, pasi institucionet zgjedhore, partitë e të tjerët duhet të njihen me sistemin.
Sa i takon listave, vendimi për këtë është e drejtë ekskluzive e parlamentit shqiptar dhe duke qenë se mund të prekë çështje që lidhen me Kushtetutën, do të nevojitej një shumicë e gjerë, pra do të duhej të gjendej konsensus. Ka argumente në favor të listave të hapura, ka argumente kundër listave të hapura dhe të gjitha këto argumente duhet të shqyrtohen me kujdes përpara se të merret vendimi. Ne dhe OSBE/ODIHR nuk themi “bëni këtë” apo “bëni atë”. Ne jemi të gatshëm të shpjegojmë pasojat e mundshme dhe kurthet teknike, që lidhen me modele të ndryshme.”/Klan Tv