Misioni i OSBE-së në Kosovë do të organizojë një turne dhjetëditor basketbolli për juniorë, që nis sot në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.
Për këtë ngjarje do të mblidhen rreth 100 djem e vajza nga komunitete të ndryshme që janë juniorë të klubeve të basketbollit nga Prishtina, Mitrovica Jugore, Gjakova, Prizreni dhe Shtërpca. Aktiviteti ka për qëllim fuqizimin e rinisë përmes sportit dhe vetëdijesimin e tyre për çështjet me të cilat përballen të rinjtë në Kosovë.
Pjesëmarrësit do të ndahen në dy grupe. Në grupin e parë do të jenë grupmoshat 14 dhe 15 vjeçe të cilët do t’i ushtrojnë teknikat e basketbollit nga 20 deri 24 qershori, ndërsa në grupin e dytë do të jenë grupmoshat 12 dhe 13 vjeçe të cilët do të ushtrojnë nga 25 deri 29 qershori. Trajnimi do të organizohet nën mbikëqyrjen e trajnerëve të akredituar nga Prishtina dhe Beogradi.
Krahas trajnimit të basketbollit, programi përfshin punëtori tematike për rininë, me fokus në promovimin e dialogut, tolerancës dhe mirëkuptimit reciprok.
Këto aktivitete edukative do të organizohen nga ekspertë të Misionit të OSBE-së në Kosovë; Departamenti i Rinisë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit; organizata Play International; dhe Innovations Lab e UNICEF-it. Theksi i temave do të jetë në qytetarinë aktive, pjesëmarrjen publike përmes sportit, të drejtat e të rinjve, ndërgjegjësimin fetar, kulturor dhe gjuhësor, njohuritë e botës së mediave dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, transmeton Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.