Lajmet e fundit

19:57 - Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me raportimet për arrestimin e një shtetasi turk, për të cilin më herët u raportua se dyshohej për përfshirje në krime lufte në zonën e Krushës dhe rrethinës së Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi, deklaroi për Klankosova.tv se personi në fjalë është paraqitur në stacionin policor si ankues, ku është intervistuar nga zyrtarët policorë dhe më pas është liruar.
“Jo, nuk është arrestuar. Ai është lajmëruar vullnetarisht në stacionin policor të Prizrenit si ankues. Me urdhër të prokurorit, deklarata është dërguar në Prokurorinë Speciale për shqyrtim të mëtejshëm. Ai është intervistuar si ankues dhe është liruar”, tha Bytyqi për Klankosova.tv.
Klankosova.tv më herët raportoi për arrestimin e një të dyshuari për krime lufte, ndërsa burimet thanë se bëhet fjalë për të dyshuarin Shahin Bush.
Se ka pasur zhvillime në këtë drejtim, e ka konfirmuar edhe Petrit Kryeziu, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.
I pyetur në lidhje me informacionet për arrestimin e një shtetasi turk të dyshuar për krime lufte, Kryeziu ka thënë:
“Pretendimet për krime lufte nuk janë kompetencë e Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Ne si prokurori nuk kemi kompetencë për të ndërmarrë veprime në këtë drejtim. Lidhur me pretendimet që janë bërë të njohura tashmë për publikun, unë e kam njoftuar Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, këta të fundit janë duke u marrë tani me çështjen”.
https://klankosova.tv/arrestohet-nje-shtetas-turk-i-dyshuar-per-pjesemarrje-ne-masakren-e-krushes444/
Përmes një postimi në Facebook, Policia e Kosovës thotë se ky organ është organi i vetëm kompetent për pranimin, verifikimin, hetimin penal dhe procedimin e të gjitha informacioneve, kallëzimeve dhe rasteve penale që ndërlidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, transmeton klankosova.tv.
"Në kuadër të mandatit të saj, drejtoria trajton të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre, përfshirë informacionet e siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe ato të identifikuara nga burime të hapura dhe publike, duke vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në komunikatë.
Tutje, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës inkurajojnë të gjithë qytetarët, dëshmitarët, viktimat, familjarët e tyre, si dhe çdo subjekt tjetër që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës, që t'i adresojnë ato në këto institucione, duke garantuar integritet të hetimit, trajtim profesional, konfidencial dhe në përputhje me standardet ligjore.
"Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës inkurajojnë të gjithë qytetarët, dëshmitarët, viktimat, familjarët e tyre, si dhe çdo subjekt tjetër që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës, që t'i adresojnë ato në këto institucione, duke garantuar integritet të hetimit, trajtim profesional, konfidencial dhe në përputhje me standardet ligjore".
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.