Lajmet e fundit

Ballë për ballë me Shkodran Gajrakun në emisionin Ora e Fundit ishin, Agim Kikaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Zafir Berisha, deputet i NISMA-s për Kosovën.
Kikaj e quajti reagimin e opozitës si jo normal dhe se kryeministri Mustafa raportimin për marrëveshjet e arritura në Bruksel e shtyu për shkak se ekipi i ekzekutivit nuk ishte i kompletuar për debat.
“Disa zhvillime që kanë ndodhur ka bërë që pika e rendit të ditës për raportim është kërkuar që të shtyhet për të premten. Opozita në fakt në kryesinë e Kuvendit nuk është pajtuar me këtë.”
“Jo normal na u dukë reagimi i Opozitës që është i papranueshëm. Sepse ka një rregullore të Kuvendit që kryeministri mund ta shtyj raportimin.”
“Të uzurpohet foltorja e Kuvendit, të bëhet presion te kryesuesi i Kuvendit është i papranueshëm.”
“Kryeministri i Kosovës në respekt të Kuvendit ka dashur që ta shtyjë për një ditë tjetër. Është shtyrë për një arsye, sepse zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe Ministrja e Dialogut , Edita Tahiri nuk ishte në Kosovës, është shtyrë raportimi me arsyen që debati të jetë më kualitativ,” tha Kikaj, njofton Klan Kosova.
Me këto deklarata nuk u pajtua deputeti i NISMA-s për Kosovën, Zafir Berisha, i cili deklaroi se Mustafa është dashur gjithsesi të jetë në seancë dhe se arsyetimet janë të pabaza dhe Asociacioni e defunksionalizon Kosovën,njofton Klan Kosvova.
“ Ne nuk bëjmë politikë për dëshira, subjektet politike nuk janë për plotësimin e dëshirave për subjektet në pushtet.”
“Zoti Mustafa është dashur të jetë në seancë dhe me debatu rreth asaj që është nxjerrë në Bruksel.”
“Ne e dimë që marrëveshjet që po arrihen në Bruksel nuk vijnë në Kuvend si shkak i një rezolute të pa drejtë që ka ardhur në legjislaturën e kaluar.”
“Sot kemi marrëveshje mes shtetesh, pa u debatu dhe pa u ratifiku në Kuvend. Roli i opozitës ka qenë konstruktiv dhe nuk ka pasur çfarë të bëjë.”
“Isa Mustafa ka bërë lëshimin më të madh që është bërë deri tash. Marrëveshja e fundit është kulmi i lëshimeve të rënda që ka bërë kjo garniturë e Kosovës, janë bërë lëshime deri në atë shkallë sa që Kosova nuk do të jetë më shtet funksional,” ka shtuar Berisha.
Ndërsa Kikaj e cilësoi Asociacionin e Komunave Serbe brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës dhe se debati politik nuk është shterur.
“Parimet bazë të Asociacionit janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, por duhet të kemi kujdes në detajet dhe statutin që do të miratohet.”
“Debati në Kuvend është debat politik, ne duhet t’i shterim të gjitha metodat institucionale.”