Liderët e Opozitës së bashkuar do të mbajnë konferencë për media sot me fillim nga ora 14:00, njofton Klan Kosova.
Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën iu drejtohen gazetarëve vetëm një ditë para protestës që pritet të mbahet nesër, me 26 mars.
Opozita, që për gati gjashtë muajt e fundit i ka koordinuar veprimet, kohët e fundit ka filluar të ndahet në hapa.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës para disa ditësh kanë deklaruar se do t’i djegin mandatet, duke bojkotuar çdo seancë të Parlamentit të Kosovës, sepse, sipas tyre, ky institucion e ka humbur legjitimitetin, kurse njëjtë nuk ka vepruar edhe partneri i tyre opozitar, Lëvizja Vetëvendosje.
Sekretari i Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, në një deklarim të tij në emisionin Zona B në Klan Kosova, ka pohuar se veprimi i AAK-së, ishte i njëanshëm, dhe ka thënë se brenda Lëvizjes ai do të propozojë një ridefinim të koalicionit opozitar.
Ndërsa, dje, e enjte, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në parit.
Ajo nuk ka shpjeguar arsyet, mirëpo siç është raportuar, problemi ka lindur kur Kadaj-Bujupi është ndjerë e ofenduar nga trajtimi që i është bërë nga partia e saj.
Ndërkohë kryetari i AAK-së, Haradinaj, ka thënë se nuk i di arsyet e këtij vendimi të Kadaj-Bujupit, porse i dëshiron sukses në të ardhmen e saj politike.
klankosova.tv