Lajmet e fundit

Ngjarjet që ndodhën mbrëmë në Kuvendin e Kosovës i ka komentuar edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi.
Veprimet që po i ndërmerr opozita për ta bllokuar punën e institucionit më të rëndësishëm në vend, janë të ngjashme me modelin rus të qeverisjes.
Ai u shpreh i bindur se kjo situatë do të gjej qetësi dhe siguroi se zgjedhje të jashtëzakonshme nuk e presin Kosovën.
“Nuk do të lejojmë që në Kosovë të realizohet projekti i shërbimeve ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani kemi një reagim sinkronizuar edhe në Kosovë për ta destabilizuar Kosovën kështu që kjo lëvizje anti-europiane dhe anti-euroatlantike nuk do të ngadhënjejnë në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim në Kosovë”, tha Thaçi për Radiotelevizionin e Kosovës.
Ministri i Jashtëm u shpreh i habitur se si këtij modeli që ai e quan rus, iu bashkuan dy partitë tjera Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.
“Më vjen keq prej z. Haradinaj dhe z.Limaj por kanë ra në një grackë që është përgatitur nga të tjerët në këtë rrethanë politike se për atë tjetrin gjithë populli i Kosovës e din si vepron dhe kush e mbështet dhe kush e ideon planin e tyre për destabilizimin e Kosovës”, tha Thaçi.
Këto lëvizje sipas Thaçi nuk e lëkundin koalicionin por ai është i shqetësuar me mesazhin që po i dërgohet botës me këto veprime.
Përdorimi i gazit dhe formave të tjera në Kuvend sipas Thaçit është përpjekje opozitare për të ardhur në pushtet.