Lajmet e fundit

Partitë opozitare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA përmes një deklarate të përbashkët bërë në një konferencë për media, kanë deklaruar se të bashkuar do të luftojnë kundër degradimit që Qeveria po ia bën vendit.
Sipas tyre arsye për të kundërshtuar fuqishëm këtë qeveri, është rrënimi i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës dhe negociatat me Serbinë që sollën marrëveshjet e padrejta të Brukselit, e po ashtu edhe demarkacioni me Malin e Zi.
“Të vendosur që këtë rrënim dhe falimentim të shtetit si dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as t’i lejojmë së zbatuari, Do të veprojmë si opozitë e bashkuar në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike”.
“Do t’i rrisim dhe intensifikojmë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës”.
“Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik”, është qëndrimi i bllokut opozitar.