Lajmet e fundit

Opozita e Bashkuar e Shqipërisë ka mbajtur të hënën në mbrëmje një mbledhje ku ka marrë vendim unanim se mosbindja civile është e vetmja formë proteste kundër Qeverisë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, dy krerët e partive opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, u kanë bërë thirrje qytetarëve të bllokojnë rrugët dhe të mos paguajnë taksën rrugore prej 5 eurosh.
“Kemi dalë me një vendim unanim, në krahë të qytetarëve, të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi që po goditen, vidhen dhe përçmohen nga një bandë kriminale në pushtet”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Opozita ka paralajmëruar protesta deri sa kjo taksë të largohet, por edhe ka thënë se nuk ka tërheqje deri në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Hapësira e vetme është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë me refuzimin, të çdo takse që ka rritur Edi Rama dhe me të gjitha hapat, format dhe mënyrat e mosbindjes qytetare si forma më e lartë e veprimit politik e qytetar, kundër një klike që po zbras Shqipërinë”, tha Basha.
Por, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, të martën ka reaguar përmes një postimi në Facebook ka akuzuar opozitën se po e “përdor Kukësin për të djegur rrugën evropiane të Shqipërisë”.
“Kur ishin në Qeveri e bënë tenderin e pagesës së rrugës 8-9 EU! Dështuan. Tani i vunë zjarrin ‘patriotik’ e duan ta përdorin Kukësin si shishe benzine për të djegur rrugën europiane të Shqipërisë! Mjerë kush u beson rrugëhumburve pa atdhe që duan zjarr e kaos për t’i ikur drejtësisë!”, ka shkruar Rama.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në një konferencë për media të martën, shprehu keqardhje për dhunën “e motivuar politikisht” gjatë protestës në Rrugën e Kombit dhe tha se dëmi shkon në miliona euro.