Lajmet e fundit

Të bashkuara, Organizatat Jo Qeveritare që veprojnë në Kosovë, ua kanë drejtuar një letër krerëve të insitutcioneve, ku e shprehin shqetësimin për mënyrën e trajtimit të sinjalizuesve (personave që denoncojnë rastet e keqpërdorimit të pozitës publike) nga institucionet publike të Kosovës.
Letra i është drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga, Kryeparlamentarit Kadri Veseli, Kryeministrit Isa Mustafa, Ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçit, Enver Pecit, kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit dhe drejtorit të Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimit.
Gjithashtu, një kopje e letrës i është dërguar edhe shefit të zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar.
Në letër, të bashkuara OJQ-të përmendin rastin e fundit të sinjalizuesit, ish punonjës në Pro Credit Bank, Abdullah Thaçit i cili është dënuar me 5000 euro gjobë për shkak se ka nxjerr jashtë bankës informata që ngrisin dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe parasë publike nga Drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit Nexhat Cocaj.
Gjithashtu theksohet edhe rasti i Arsim Halilit dhe Fadil Hoxhës, punonjës të RTK-së dhe po ashtu përfaqësuesit e gazetës Blic, që publikuan xhirollogarinë e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
Sipas OJQ-ve, trajtimi i këtyre rasteve, është tregues se institucionet publike dhe private kanë për qëllim shantazhimin dhe kërcënimin e sinjalizuesve dhe se nuk po e respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve.