Lajmet e fundit

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë (OIK) ka dënuar fuqishëm sulmin fizik ndaj një infermiereje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, e cila është sulmuar gjatë kryerjes së detyrës së saj profesionale.
OIK ka theksuar se dhuna ndaj profesionistëve shëndetësorë është e papranueshme dhe cenon sigurinë në vendin e punës, dinjitetin e profesionit dhe funksionimin e sistemit shëndetësor, transmeton Klankosova.tv.
“Asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojë dhunën, kërcënimin apo presionin ndaj atyre që çdo ditë shërbejnë për shëndetin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e OIK-ut.
Kryetarja e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, znj. Nexhmije Gori, ka shprehur mbështetjen e plotë për infermieren e lënduar dhe ka kërkuar nga organet kompetente që rasti të trajtohet me seriozitet, të zbardhen rrethanat dhe autorët të vihen para përgjegjësisë.
OIK u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë profesionistët shëndetësorë dhe të kontribuojnë në krijimin e një ambienti të sigurt për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.