Lajmet e fundit

Oda Ekonomike Gjermano Kosovare ka thënë se fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është hapi më i rëndësishëm për Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
"Për shtetin tonë, nga sot, po fillon një etapë e re e zhvillimit ekonomik, të cilën duhet ta shfrytëzojmë me gjithë kapacitetet tona".
"Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, na obligon që të shtojmë përpjekjet dhe kujdesin për rritjen e bizneseve vendore. Të gjetur, tashmë pjesë e një tregu të gjerë mbi 500 milion banorësh, paraqitet si një shans shumë e mirë por njëkohësisht edhe një sfidë serioze për ndërmarrësinë dhe shtetin e Kosovës".
"Biznesi vendor duhet të jetë i përgatitur që të jetë konkurrues i denjë, ndërsa shteti duhet të shtojë maksimalisht angazhimin për të ndihmuar prodhuesin kosovar, që të arrij nivelet e standardeve të kërkuara për tregjet evropiane" thuhet në një kumtesë të OEGJK, transmeton Klan Kosova.
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, konsideron se me fillimin e zbatimit të MSA-së, nuk u eliminuan sfidat ekonomike, porse është dhënë mundësia që të kalohen ato.