Lajmet e fundit

Qentë endacakë janë bërë telashe e madhe për qytetarët ku jo pak herë edhe fëmijët kanë qenë cak i sulmeve të tyre.
Një problem i njëjtë duket se është edhe brenda oborrit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Një lexues i Klankosova.tv ka dërguar disa video ku shihet se sot oborri i QKUK-së ka qenë i mbushur me qen endacakë.
Nga Zyra për Informim e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar e kanë konfirmuar për Klankosova.tv se janë në hall me qentë endacakë duke shtuar se për këtë kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që të gjejnë zgjidhje.
"Disa herë e kemi njoftuar Komunën e Prishtinës lidhur me këtë dhe është kërkuar zgjidhje. Po ashtu edhe AUVK-un. Shpresojmë se këto dy institucione do të ndërmarrin hapa konkretë për këtë çështje".
Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë edhe me këto dy institucione të cilave SHSKUK-ja po ua lë barrën për zgjidhjen e këtij problemi, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.