Lajmet e fundit

Pas dekadash debat, presidenti amerikan, Barack Obama ka vendosur të ndryshojë emrin e një mali në Alaskë. Mali McKinley, që është maja më e latë në Amerikën e Veriut, do mbajë tani e tutje emrin Denali.
Denali është një emër që e përdorin vendasit dhe do të thotë “I larti”. Mali me një lartësi prej 6.168 metrash, e mori emrin në vitin 1896 nga një kërkues ari, pasi dëgjoi se William McKinley do nominohej për t’u bërë president i SHBA.
Presidenti Barack Obama e ndryshoi emrin përpara një vizite treditore në Alaskë, ku do flasë për ndryshimet klimaterike. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë theksohet fakti se McKinley nuk shkeli kurrë në Alaskë.
Përpjekjet për të ndryshuar emrin janë penguar vazhdimisht nga shteti i Ohajos, vendlindja e McKinley. Nuk dihet nëse Ohajo do e bllokojë edhe këtë lëvizje.
McKinley ishte presidenti i 25 i SHBA. Ai u vra në fillim të mandatit të dytë, në vitin 1901./Mapo.al