Lajmet e fundit

Presidenti amerikan në largim, Barack Obama ka arritur në Athinë, në ndalesën e parë të udhëtimit të tij të fundit jashtë Shteteve të Bashkuara, ku do të synojë që t`i sigurojë evropianët e shqetësuar pas fitores befasuese të Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.
Obama, i cili do të zëvendësohet në janar nga Donald Trump, është pritur nga ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos në aeroportin e Athinës në fillim të vizitës së tij dyditore, e para nga një president amerikan në Greqi që nga vizita e Bill Clinton në vitin 1999.
Ai pritet të diskutojë çështjen e borxhit si dhe krizën e emigrantëve me kryeministrin Aleksis Tsipras dhe presidentin Prokopis Pavlopulos me çrast do të mbajë një fjalim të mërkurën.
"Ne konsiderojmë se kjo vizitë do të kontribuojë në përpjekjet për të reduktuar borxhin e Greqisë", tha zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Tzanakopoulos, raporton Reuters, transmeton Klan Kosova.