Lajmet e fundit

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë pas publikimit të masave të reja nga Ministria e Shëndetësisë për mosmarrjen parasysh të kërkesave të bizneseve që të hiqet ora policore dhe kufizimet në orar, duke u respektuar në maksimum rregullat e përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thuhet në një deklaratë për media të Odës.
OAK rikërkon që të hiqet ora policore dhe kufizimet duke pasë parasysh se të njëjtat masa nuk janë duke u respektuar nga vetë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilët ishin ata që i formuluan këto kufizime, njofton Klan Kosova.
"Largimi i orës policore dhe masave të tjera kufizuese është nevojë imediate duke pasur parasysh se Institucionet e vendit tonë dhe vetë shteti nuk është në gjendje t’a mbështesë biznesin dhe po tregohen të pafuqishëm karshi gjendjes në të cilën janë bizneset dhe vetë ekonomia e vendit. Situata e rëndë ekonomike dhe rritja e numrit të personave të cilët kanë mbetur të papunë, është një nga treguesitë kryesor se gjendja në vendin tonë po shkon duke u keqësuar dhe për këtë duhet ndryshim drastik i politikbërjes karshi situatës në të cilën gjendemi. Përderisa, pasojat e këtyre vendimeve ad hoc dhe duke mos pasur për bazë kërkesat e bizneseve të cilat janë të prekura direkt nga këto vendime, po vështirësojnë edhe më tepër punën dhe mbijetesën e bizneseve".
OAK ka deklaruar se skonomia e vendit po shkon duke u rënduar, veçanarisht kur merret parasysh se Kosova është i vetmi vend në rajon i cili raportin e importit me eksportin e ka 90 me 10 ku 90% të produkteve importojmë nga jashtë dhe vetëm 10% eksportojmë.
Për më tepër OAK tash e disa herë ka kërkuar që çdo vendim i cili do të merret nga shteti lidhur me masat kufizuese për punën e bizneseve duhet të gjejë edhe përkrahje financiare.