Lajmet e fundit

Analisti Adri Nurellari ka vlerësuar se ekziston një frikë që të diskutohet për bashkimin kombëtar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ndonëse ekziston dëshira për një gjë të tillë.
Sipas tij partitë politike në Shqipëri, për shkak se kanë ndjerë nevojën për përkrahje perëndimore, kanë vepruar sipas kërkesave të BE-së, përderisa kanë folur për çështje kombëtare kur duan të faktorizohen brenda vendit.
“Ka pasur një traditë në Shqipëri që çështjen kombëtare dhe të bashkimit e shohin brenda konjukturave të brendshme”
“Kjo ka krijuar një lloj frike të brendshme për të folur për bashkimin kombëtar, për të shprehur haptazi realizimin e aspiratës shekullore për bashkim që ekziston edhe në preambulën e kushtetutës” është shprehur Nurellari në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.
Ai ka theksuar se dëshira për bashkim ekziston edhe nëpër vende tjera të botes, këtu përderisa mori shembull Kinën dhe Tajvanin apo pjesëmarrjen nën një flamur të Koresë së Jugut dhe Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore.
“Nuk është e panatyrshme të kërkojmë bashkimin kombëtar dhe është hipokrizi të mos flasim për një gjë të tillë”
“Rasti Kosovë-Shqipëri nuk duhet të shihet si rast i shkëputur, e gjithë Evropa është e mbushur me copëza territori etnik të lëna jashtë” vlerësoi Nurellari.
Adri Nurellari tha se për bashkimin kombëtar duhet të diskutohet brenda konjukturave të marrëdhënieve ndërkombëtare.